Një furgon mallrash me 8 persona brenda është aksidentuar herët në mëngjes në autostradën Vlorë-Fier. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, në afërsi të vendit të njohur si “Kripa”.
Furgoni i mallrave me targë AA050EK i cili transportonte punëtorë drejt Fierit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me traversën anësore të rrugës.
Aksidenti ka rezultuar fatal për pasagjerin që ndodhej në sediljen e parë të furgonit, shtetasi Ismail Hatia, i cili ka dalë nga dritarja e furgonit dhe ka përfunduar në rrugë, duke gjetur dhe vdekjen e menjëhershme.
Dëmtime kanë marrë dhe 7 personat e tjerë që gjendeshin në mjet, përfshirë drejtuesin e tij 27-vjeçari Marjo Hoxha nga Fieri.
Të plagosurit, të gjithë nga Llakatundi sikurse dhe viktima, janë transportuar me ambulancë drejt spitalit të Vlorës për marrjen e ndihmës mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se shoferi i furgonit ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.