Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin në rrugën nacionale Lushnje-Berat, në zonën e quajtur “Kashëbardhë”, ku një autobot është përplasur me një zetor.
Mësohet se autoboti u përmbys pasi u përplas me një mjet bujqësor, drejtuesi i i të cilit, Arben Toska, arriti të hidhej nga mjeti në momentin e përplasjes, duke shpëtuar pa lëndime të rënda.
Shoferi i autobotit 27-vjeçar, Petro Piti, i cili mbeti i bllokuar në mjetin e mbushur me naftë, nuk ka mundur të ju rezistojë plagëve të marra.
Pas rreth një ore, Piti u nxor nga autoboti dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Lushnjes, por ndodhej në gjendje kritike. Raportohet se ai humbi jetën pak më vonë për shkak të dëmtimeve të shumta nga përplasja.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, një autobot i ngarkuar me lëndë hidrokarbure me drejtues shtetasin P. P., është përplasur me një mjet bujqësor me drejtues shtetasin A. T.
Nga përplasja ka humbur jetën në spital drejtuesi i autobotit, shtetasi P. P.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin A. T., në Komisariatin e Policisë Lushnjë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.