Policia e Kuçovës ka arrestuar shoferin e dyshuar të aksidentit tragjik të mëngjesit të djeshëm, ku humbën jetën një çift i moshuar bashkëshortësh Ahmet dhe Salushe Kafazi 81 dhe 77 vjeç dhe u plagos vajza e tyre, Feruze Barushi, 58 vjeçe.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në vendin e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”, ju informojmë se Sektori i Qarkullimit Rrugor ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, pasi automjeti që drejtonte, është përplasur me mjetin bujqësor (frezë dore), me të cilin lëviznin shtetasi A. K., bashkëshortja e tij, shtetasja S. K. dhe vajza e tyre, shtetasja F. B.. Nga aksidenti humbën jetën shtetasit A. K. dhe S. K., si dhe u dëmtua shtetasja F. B., e cila vijon të jetë në spital, jashtë rrezikut për jetën”,-njofton policia.