Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në autostradën Egnatia në Greqi, ku 3 shtetas shqiptarë kanë mbetur të vdekur.
Sipas informacioneve të para mësohet se një kamion është përplasur me dy makina.
Protothema shkruan se kamioni fillimisht u përplas kokë më kokë me automjetin përpara tij, i cili u përfshi nga flakët. Në bord ndodheshin 4 shqiptarë me banim në Athinë, një burrë 59-vjeçar, një burrë 61-vjeçar, një grua 57-vjeçare dhe një grua 49-vjeçare. Tre të parët u karbonizuan, ndërsa pasagjerja e fundit arriti të dilte vetë nga makina.
Mjeti tjetër i përfshirë në aksident mbante 4 të afërm grekë, gjithashtu banorë të Athinës, një shofer 36-vjeçar, një pasagjer 28-vjeçar dhe dy djem të moshës 4 dhe 5 vjeç. Këta shtetas u dërguan në spital me plagë të lehta. Shoferi i kamionit u dërgua gjithashtu në spital me lëndime të rënda.
Përplasja shkaktoi një zjarr të madh që u përhap edhe në zonat rurale.