Pas letrës plot akuza të forta të deputetit Vladimir Kosta ka ardhur edhe reagimi i nënkryetari i grupit të PSsë, Taulant Balla dhe ministrit, direkt të etiketuar prej Kostës, Arben Ahmetajt.
Në një reagim për mediat, Taulant Balla deklaroi se kjo nuk është hera e parë që deputeti Kosta tërhiqet nga grupi, dhe shtoi se nuk janë deputetë për të qarë problemet personale. “Kjo nuk është Hera e parë që deputeti Kosta tërhiqet nga grupi. Jam njohur dje me letrën. Nuk kam pasur mundësi të komunikoj me të.
Secili prej nesh ka një marrëdhënie kontraktuale me zgjedhësit dhe subjektin që kandidon. Përpara një vendimi tillë duhet të respektohet mandati i atyre që kanë votuar dhe kontratën me subjektin që kandidon” tha Balla. Ai theksoi rëndësinë e votës për reformën më 21 korrik, duke shtuar se llogarit edhe voten e Kostes. “Votat e mazhorancës pro reformës. Këtu llogaris edhe votën e Kostës. Nuk jemi deputetë për të qarë problemet personale. Unë besoj dhe kam bindjen se jo vetëm votat e mazhorancës, por edhe nga opozita” u shpreh Balla.
Kurse ministri i Financave Arben Ahmetaj ngriti dyshime se hakerat mund të kenë ndërhyrë në emailin e deputetit Kosta. “Vladimir Kostës duhet t’i kenë hakeruar posten elektronike” tha ai. Kosta, dje me nje leter të hapur drejtuar kryeministrit Rama njoftoi largimin nga grupi i PS. Ai akuzon Ramen dhe ministrat se nuk mbeshtesin socialistet.