Edi Rama deklaroi sot në Top Story se Plani A (votimi i reformës në drejtësi me konsensus) dështoi sot në takimin që pati me Lulzim Bashën.
Nga nesër, tha ai, fillon Plani B – drafti i reformës do të shkojë në Kuvend me synimin që të miratohet me të paktën 94 vota të deputeteve (mazhoranca ka sot rreth 87 vota).
Rama u mundua ta shmangë si mundësi, skenarin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa u shpreh se “Plani b është ky që ka hyrë në veprim që drafti do vijojë rrugën drejt votimit. Ka ende kohë për Planin C. Ka mundësi të mëdha që ne tia dalim me suksese. Pyetja për zgjedhjet e parakohshme, është ende një pyetje e parakohshme. Ka kohë edhe një muaj”.
Pak orë më parë, Basha kishte paralajmëruar se drafti nuk do të votohej nga asnjë deputet i opozitës, nëse nuk arrihej konsensusi.
Pak ditë më parë, edhe Ilir Meta kishte deklaruar se konsesnsusi është i domosdoshëm. Sidoqoftë, sot Meta është në Uashington, ndërsa zëvendësi i tij u bë papritur pjesë e treshes që përfaqësoi mazhorancën në takimin me PD-në.
A do të bëhen 94 vota për miratimin e reformës brenda qershorit, siç e ka kërkuar SHBA-ja dhe BE-ja?