Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe reketahedhësve për Poloninë në një marrëveshje me vlerë deri në 10 miliardë dollarë, tha Pentagoni të martën.
Polonia ka shpenzuar shuma të mëdha për të modernizuar ushtrinë e saj, ndërkohë që i ka dhuruar armatimet më të vjetra fqinjit të saj Ukrainës ndërsa ajo lufton agresionin rus.
Shitja do të përfshinte sistemet me raketa HIMARS të cilat Kievi i ka vlerësuar për efektivitetin në fushën e betejës, si shkatërrimi i depove dhe pozicioneve të komandave ruse.
Paketa përfshin 18 raketahedhës HIMARS, 45 raketa të Sistemit të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) me rreze veprimi 297 km dhe më shumë se 1559 Sisteme të Telekomanduara Lëshimi të Shumëfishtë Raketash (GMLRS).
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë kërkesat e Ukrainës për raketa ATACMS dhe Polonia nuk do të lejohet t’i transferojë ato në Ukrainë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara.
Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së Pentagonit njoftoi Kongresin për shitjen e mundshme të martën.
“Kjo shitje do të përmirësonte objektivat ushtarake të Polonisë për modernizimin e aftësive duke rritur më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë,” tha Pentagoni.
Megjithë miratimin nga ana e Departamentit të Shtetit, njoftimi nuk përmend nënshkrimin e ndonjë kontrate ose përfundimin e negociatave./ VOA