Teksa temperaturat minimale ditët e fundit kanë shënuar disa gradë nën zero, në fokus është edhe ngrohja në institucionet arsimore.
Në rreth 150 prej këtyre institucioneve që janë në varësi të Bashkisë Tiranë, i gjithë sistemi ngrohës është funksional.
Sa i përket procesit mësimor në zonat rurale të kryeqytetit, vijon normalisht pasi janë marrë masat për ngrohjen në shkolla.
“Në ditët e kësaj jave që janë temperaturat e kësaj jave, fokusi është shumë i shtuar dhe gjithashtu edhe oraret e mbajtjes së kaldajave ndezur shtohen. Situata është që në 150 institucione afërsisht, ne kemi kaldaja që janë me naftë apo me peletë. Gjithashtu në shkollat të cilat janë në periferi kemi edhe ngrohje me soba me dru si dhe në 70 institucione kemi soba me peletë, kështu që kemi disa lloj ngrohjesh, Në çerdhe apo kopshte, nëse kemi një avari të kaldajës, kemi ngrohje alternative me kondicioner për të qenë gati për çdo lloj skenari”, thekson Erind Bejko, drejtor në Bashkinë e Tiranës.
Deri në fundjavë vendi ynë do të jetë i përfshirë nga acari siberian dhe më pas temperaturat do pësojnë rritje graduale sipas sinoptikanëve.