Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e Rozeta Dobit si dhe nga dosja hetimore.
Ndaj ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi rëndojnë tre akuza: për fshehje pasurie, pastrim parash, dhe për deklarim të rremë parash, pasi pastruesja Rozeta Dobi dëshmoi se ishte vetë zyrtarja që ia dha paratë, ndërsa ngjarja fillimisht u inskenua si vjedhje.
Gjithashtu, Rozeta Dobi ka deklaruar së fundmi se dhe shuma tjetër e gjetur në tubin e aspirimit në shtëpinë e saj i përkiste Alda Klosit.
“Paratë vinin nga persona të ndryshëm. Ajo i vendoste në çanta dhe kuti. Unë pastroja dhe largohesha për në shtëpinë time.
Kohët e fundit Alda Klosi u nda dhe kishte përplasje të forta me bashkëshortin dhe në dhjetor më kërkoi t’i merrja dhe ruaja paratë e saj. Ditën që i mora nuk ishte në banesë dhe më tha t’i merrja nga kasaforta dhe t’i ruaja në banesë”, ka deklaruar Rozeta Dobi.
Dobi ka thënë se vjedhja u inskenua që të bënte fajtor bashkëshortin me të cilin kishte përplasje. Kjo dëshmi është marrë me rezervë nga prokurorja, çka do të thotë se dy gratë do të ballafaqohen.
Ndryshe nga sa ka deklaruar i biri se ka parë që e ëma hodhi një kasafortë ditën që ndodhi vjedhja, Rozeta Dobi e përjashton kategorikisht këtë dhe thotë se e gjithçka që ndodhi ishte mes saj dhe Alda Klosit.
Sipas gazetare Klodiana Lala sa i përket akuzës për fshehje pasurie, në deklarimin e pasurisë, Alda Klosi nuk e ka deklaruar këtë shumë parash dhe ka dyshime se ajo ka dhe pasuri të tjera të fshehura. Po kështu ajo akuzohet për deklarim të rremë. Kjo, pasi Alda Klosi në fillim tha se ishte vjedhur një shumë e vogël parash, por më pas deklaroi se i ishin vjedhur 125 mijë euro. Këto deklarime të saj kanë qenë kontradiktore me ato të vëllait të Alda Klosit, i cili ka pretenduar të kundërtën.
Po ashtu mësohet se te akuza e pastrimit të parave, prokuroria po heton nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Rozeta Dobi ka deklaruar se shumat e parave vinin nga persona të cilët nuk i identifikon dot.
DËSHMIA E ROZETA DOBIT
“Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha. I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve. Shpesh Alda lëvizte para, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për ti sistemuar më vonë.
Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 mln lekë të vjetra. Shuma prej 25 700 eurosh që janë gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte./Opinion.al