Byroja Federale e Hetimeve, FBI, ka gjetur dokumente të tjera sekrete në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në shtetin Dellauer. Përfaqësuesi ligjor i zotit Biden njoftoi se të premten u zbuluan gjashtë dokumente të reja gjatë një procesi kërkimore prej 12 orësh.
Gjashtë dokumente të tjera, të shënuara si të klasifikuara, u zbuluan të premten gjatë kërkimeve nga Departamenti i Drejtësisë në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në shtetin Delaware.
Avokatët e presidentit njoftuan të shtunën se disa nga dokumentet e zbuluara datojnë nga koha kur zoti Biden shërbente në Senat dhe të tjerat gjatë kohës që ishte në postin e nënpresidentit të vendit.
Punonjësit e FBI-së gjithashtu gjetën shënime me dorë të zotit Biden nga koha kur ai shërbente në administratën e Presidentit Obama.
Avokati i presidentit tha se kërkimi filloi pak para orës 10 të mëngjesit të premten dhe përfundoi rreth orës 10:30 të mbrëmjes. Ai shtoi se procesi i kërkimit ishte me bazë vullnetare, në praninë e ekipit ligjor të presidentit dhe përfaqësuesve ligjor të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti dhe bashkëshortja e tij nuk ishin të pranishëm. Lajmi u konfirmua edhe nga zyra e prokurorit të shtetit Illinoi, e cila po shqyrton dokumentet në fjalë. Avokati i Presidentit Biden, Rich Sauber, lëshoi një deklaratë për shtyp:
“Jemi përpjekur të balancojmë rëndësinë e transparencës publike, aty ku është e përshtatshme, me normat dhe kufizimet e vendosura të nevojshme për të mbrojtur integritetin e hetimit. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjatë gjithë rrjedhës së bashkëpunimit tonë me Departamentin e Drejtësisë”.
Grupi i parë i dokumentave u zbulua në nëntor në një zyrë private që përdorte zoti Biden pas largimit nga posti i nënpresidentit. Në dhjetor u zbuluan dokumente të tjera të klasifikuara në shtëpinë e zotit Biden në shtetin Delaware. Gjetjet nuk u bënë publike deri në janar.
Mënyra e trajtimit të dokumenteve po hetohet nga një prokuror i posaçëm.
Gjatë një prononcimi për median të enjten, Presidenti Biden këmbënguli se ekipi i tij ligjor po vepron në bazë të ligjit dhe se po bashkëpunon plotësisht me hetimet.
“Nuk jam penduar. Po ndjek këshillat e avokatëve”, tha zoti Biden.
Ligjvënësit republikanë kanë ngritur pikëpyetje ndaj administratës lidhur me transparencën dhe kohën e daljes së dokumenteve.
“Do të përsëris atë që ai (Presidenti) ka thënë disa herë, por në të vërtetë ai i trajton me seriozitet dokumentet e klasifikuara”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.