Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, është “i bindur” se aleatët e Ukrainës mund ta formojnë një koalicion për t’i ofruar tanke Leopard Kievit.
Duke folur me gazetarët në margjinat e një takimi të udhëhequr nga SHBA-ja në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ai tha se ministrat e mbrojtjes nga 15 vende ishin mbledhur për ta diskutuar këtë çështje.
Kievi thotë se i duhen tanket Leopard të prodhimit gjerman për të zmbrapsur trupat ruse, por Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim i aleatëve për të dorëzuar tanket do të ishte një përshkallëzim “jashtëzakonisht i rrezikshëm” i situatës.
Sipas rregulloreve aktuale, Gjermania duhet të sanksionojë çdo rieksportim të tankeve të saj nga vendet e tjera, si Polonia. Pra, rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t’i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.
Gjermania ende nuk ka marrë ndonjë vendim, por mohon bllokimin e njëanshëm të eksportit të tankeve.
Përshtypja se “ka një koalicion të bashkuar dhe se Gjermania po qëndron në rrugë është e gabuar”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.