Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë bërë që në disa zona të vendit të ketë përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në një njoftim për mediat bën me dije se në njësinë administrative Ana Malit ka përmbytje ne një sipërfaqe prej 400 ha.
Po ashtu, bëhet e ditur se ka ndërprerje të energjisë elektrike në njësinë administrative Ana Malit, fshatrat Beltojë, Mali Hebe njësia administrative Bërdicë, si dhe njësia administrative Shkrel në Malësinë e Madhe.
Në njësinë administrative Zejmen në Lezhë ka sipërfaqe toke të përmbytur, 50 ha në fushën e Treshit dhe 15 ha në Spiten, ndërsa në njësinë administrative Balldren, ish-këneta e Torovicës ka 200 ha tokë nën ujë.
Në Mirditë ka rritje të prurjeve të përroit të Zmejës, në afërsi të qytetit Rrëshen, i cili është në kuotë kritike.
Njoftohet gjithashtu se është hapur diga në rezervuarin e Qafëmollës në Rrëshen pasi ka arritur pikën kritike, nuk ka shkaktuar probleme deri tani.
Në Kurbin ka prezencë uji në lagjen Sanxhak, qyteti Laç në 15 banesa. Ndërsa në lagjen “Granicë” të qytetit të Gjirokastrës përroi i “Çullos” ka shtuar prurjet dhe rrezikon banesat, ndërkohë që është bllokuar lagjja Lenxat në fshatin Lazarat.
Në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, 200 metra pranë tunelit të Skërficës kanë vërshuar ujërat e një përroi malor.
Midis fshatrave Bënçë dhe Lekdush, një masiv me dhera ka bllokuar rrugën po punohet për largimin e inerteve. Në Shijak lumi Erzen në pjesën e fshatit Hardhishtë, njësia administrative Gjepalaj, ka dalë nga shtrati.
Në Krujë lumi Ishëm në pjesën e fshatit Marqinë, njësia administrative Bubq, ka dalë nga shtrati.
Në Fier ka ndërprerje të energjisë në disa fshatra, ndërkohë që ka tendencë rritjeje të nivelit të lumenjeve Vjosë, Seman dhe Shkumbin.
Në Elbasan ka rënie inertesh ne aksin Elbasan-Qafe Thane, Elbasan-Gjinar, Gramsh-Moglice, po punohet nga firmat kontraktore.
Në aksin e Rrugës së Arbërit sipër tuneleve në hyrje të Baypassit në drejtim të Qafë Murrizës, ka rrëshqitje të dherave nga skarpatet në një segment rruge, po punohet për largimin e inerteve.
Në aksin rrugor nacional Burrel – Shkopet në Shkopet ka rënie gurësh në rrugë në 2 segmente, kalimi bëhet në një sens.