Këtë të dielë, Partia Demokratike, zhvillon zgjedhjet për Primaret në 5 bashki të vendit, që në fazën e parë të votimit që u zhvillua javën e kaluar dolën në balotazh.
Do të votohet sot në Bashkinë e Dibrës, Fierit, Mirditës, Librazhdit, dhe atë të Matit, ndërsa në Fushë-Arrëz zgjedhjet do të mbahen në një tjetër datë.
Për Bashkinë e Fushë-Arrëzit përballja do të jetë mes Hilë Currit dhe Hilë Kolës, në Dibër mes Ismail Ukës dhe Besnik Halkut, ndërsa në Librazhd mes Shefki Çota dhe Aranit Lekës.
Në Bashkinë e Fierit demokratët dhe simpatizantët duhet të zgjedhin mes Etvar Kodhelit dhe Artur Mahmutaj, ndërsa në Mat kandidojnë Skënder Gjuçi dhe Bukurosh Ballabani.
Përballja në Mirditë do të jetë mes Albert Mëlyshit dhe Aleksandër Lalës.
Në primaret e 4 dhjetorit në balotazh dolën 8 bashki, mes të cilave edhe ajo e Tiranës, Krujës, Sarandës, por kandidatët me numër më të vogël votash u tërhoqën, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë si kandidatë fitues ata që kishin siguruar numrin më të madh të votave të anëtarësisë dhe simpatizantëve në zgjedhje.
Në Tiranë kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 Majit është Belind Këlliçi, në Elbasan demokratët do të garojnë me nënkryetarin e kësaj force politike Luçiano Boçi, në Shkodër me Bardh Spahinë, ndërsa në Bashkinë e Durrësit dhe atë të Korçës në zgjedhjet vendoreve PD-ja do të garojë me dy ish-deputetë, Igli Carën dhe Ledina Aliollin.