Rina Qyra (Hajrie) është debitore pasi nuk ka shlyer dot një kredi që ka marrë. Kjo çështje ka kaluar te Micro Credit Albania, që merret pikërisht me “kreditë e këqija”, duke kërkuar sekuestro prone etj.
Përmbaruesi, Fatos Alimadhi bën fakt të kryer sekuestrimin e një prone në fshatin Bicaj të Gramshit, e cila ka pronare të vetme nënën e debitores Rina Qyra. Alimadhi pretendon se mund të bllokojë pjesën takuese të vajzës debitore.
Kapllan Hyka, vëllai i debitores thotë se sekuestro në pronën e së ëmës është vendosur pa dijeninë e nënës dhe familjes.
Denoncuesi: Unë jam Kapllan Hyka, i drejtohem emisionit “Stop” për denoncimin e një rasti nga përmbaruesi gjyqësor Fatos Alimadhi, i cili ka vënë nën sekuestro pronën e mamasë time, Manushaqe Hyka. Kjo pronë ndodhet në fshatin Bicaj në Gramsh. Për arsyen se motra ka marrë një mikrokredi dhe nuk ka pasur mundësi shlyerje, sekuestro është vendosur pa dijeninë tonë dhe pa dijeninë e pronares, mamasë tonë, Manushaqe Hyka, e cila është gajllë. Ne jemi 6 fëmijë dhe nëna sot është gjallë. Është pronë e nënës tonë. Ky dokument na ka ardhur para disa ditësh.
Edhe e moshuara Manushaqe Hyka, edhe e bija Rina Qyra deklarojnë se nuk kanë lënë asnjë gjë peng për kredinë.
Gazetari: Si e ke marrë vesh këtë gjë që ka ndodhur?
Manushaqe Hyka: Vonë e mora vesh, tani emora vesh që janë bërë këto gjëra. Unë nuk kam bërë asnjëlloj veprimi.
Gazetari: Ti je pronarja e vetme e kësaj toke në Gramsh?
Manushaqe Hyka: Po.
Gazetari: Ndërkohë që kredinë e ka marrë vajza juaj?
Manushaqe Hyka: Pa dijeninë timen dhe as të fëmijëve të tjerë. Kam 6 fëmijë, 4 djem dhe 2 vajza. E padrejtë ato që e kanë bërë se pa dhënë firmën unë ose familja, nuk bëhen këto gjëra.
Qytetari flet në telefon me përmbaruesin gjyqësor privat, Fatos Alimadhin.
Qytetari: Ne nuk jemi në dijeni, nënën e kemi gjallë. Tani, si vendoset kjo sekuestro?
Fatos Alimadhi, përmbarues: Nejse, mund të jetë vënë sekuestro te bashkëpronari jodebitor.
Qytetari: Pronarja e kësaj pasurie është gjallë.
Fatos Alimadhi, përmbarues: Më dëgjo! Personi, që ka marrë kredinë, ka lënë një kolateral, një pasuri. Tani, kjo pasuri është edhe me bashkëpronarë të tjerë, apo jo? Po mirë mo, a jeni bashkëpronarë?
Qytetari: Nëna është pronare e kësaj, ne të tjerët jemi bashkëpronarë po kur të ndërrojë jetë nëna.
Fatos Alimadhi, përmbarues: Pretendimi juaj?
Qytetari: Pretendimi jonë është që…
Fatos Alimadhi: Shiko! Unë dua, që të zgjidhim problemin! Jam për të zgjidhur problemin, kështu e kam atë idenë.
Qytetari: Po si mund ta zgjidhim problemin?
Fatos Alimadhi, përmbarues: Do të sqaroj unë për cdo gjë.
Qytetari: Po ku mund të takohemi, a mund të bëjmë ndonjë takim nga afër?
Fatos Alimadhi, përmbarues: Të them unë.
Ndërkohë, përmbarues Fatos Alimadhi nuk e njoftoi kurrë për takim.
E bija, qytetarja që ka marrë kredinë dhe që rezulton debitore, mohon kategorikisht që të ketë lënë si garanci ndonjë pronë dhe aq më tepër për këtë pronë.
Debitorja, Rina: Në këtë kredi nuk kam lënë asnjë lloj prone, asnjëlloj firme, asnjëlloj dokumenti. Thjesht, një vërtetim pune, para se ta merrja (kredinë) dhe asnjë gjë më shumë.
Në mënyrë absurde, përmbaruesi Alimadhi thotë, se bëhet fjalë për një pronë bujqësore, ku pala debitore është edhe bashkëpronare. Sipas tij, mund të bëhet veçimi i pjesëve takuese të debitores, edhe pse e ëma, pronare e vetme, është gjallë.
Gazetari: E keni kontrolluar dosjen?
Fatos Alimadhi: Ta verifikoj dhe do të ju kthej përgjigje por besoj se bëhet fjalë për një tokë bujqësore ku dhe pala debitore është edhe bashkëpronare sipas ligjit.
Gazetari: Nuk është sipas ligjit Alimadhi sepse duhet të ndahet nga jeta nëna që ështe e vetmja pronare në kartelën e pasurisë, pro është një gabim ky që e keni bërë ju.
Fatos Alimadhi: Është debitore.
Gazetari: Pse ju kërkoni që të sekuestroni një pronë që nuk është e saja?
Fatos Alimadhi: Kjo pronë thotë ndodhet në fshatin Bicaj, me një fjalë kjo ka përfituar nga toka bujqësore, është e përcaktuar dhe ne do të vazhdojmë me veçimin e pjesës së debitorit në këtë rast.
Gazetari: Kur do ta veçoni, kur të ndahet nga jeta? Ky është një gabim dhe ju duhet të mbani përgjegjësi. Apo nuk keni marrë mësimet akoma nga gabimet që keni bërë në të shkuarën?
Fatos Alimadhi: Po ku i dini gabimet ju?
Gazetari: Po si nuk i dimë. Ne i kemi transmetuar. Të gjitha këto janë të gabuara sepse para disa muajsh ju keni qenë i proceduar. Ju keni një mision të shenjtë. Ju jeni përmbarues gjyqësor dhe duhet të zbatoni detyrën sipas ligjit. Ju në këtë rast keni vepruar jashtë ligjit. Ju keni vdekur para kohe një pronare të ligjshme dhe thoni “hajde, ja sekuestrojmë bashkëpronarëve”. Ju duhet të zbatoni ligjin siç është ligji dhe jo të vini sekuestro mbi një pronë që pronarja e saj nuk ka dijeni mbi të gjitha. A e dini që zonja Manushaqe Hyka është gjallë dhe thotë se unë nuk kam dijeni lidhur me këtë gjë? Çfarë ka marrë e bija, le ta paguajë e bija.
Fatos Alimadhi: Dakord, dakord.
Gazetari: Duhet të korigjoni gabimet tuaja dhe të mbani përgjegjësi./ Tv Klan