Këshilli i Ministrave ditën e sotme shkarkoi nga detyra si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanon.
Sipas gazetares Klodiana Lala, deri në marrjen e këtij vendimi është dashur shumë kohë. Në raportimin e saj Lala thotë se mes Gledis Nanos dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ka pasur debate të ashpra kohët e fundit. Këto debate vinin pasi ministri Çuçi kishte kërkuar dorëheqjen e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, ndërsa ky i fundit e kishte refuzuar.
Po ashtu bëhet me dije se përplasjet mes tyre vinin për shkak të situatës kriminale në vend. Pjesë e debatit ka qenë dhe emërimi i disa drejtuesve në polici, pa dakordësinë e Nanos.
“Ka pasur debate të ashpra ditët e fundit mes Nanos dhe ministrit të brendshëm. Debatet mes tyre kanë qenë me tone të ashpra. Ministri i ka kërkuar dorëheqjen Nanos, por ky e ka refuzuar. Çuçi i ka lënë një afat, por nga ana e Nanos nuk e ka marrë parasysh dhe më pas ai është shkarkuar. Përplasjet mes tyre vijnë për dy arsye, së pari lidhet me situatën kriminale në vend, i cili është tronditur kohët e fundit nga disa ngjarje të rënda dhe së dyti ka të bëjë me emërimin e disa drejtuesve në policia. Z. Nano ka kundërshtuar disa emra të cilët me sa duket i janë diktuar për të drejtuar drejtori apo seksione të veçanta. Për këto dy arsye përplasjet mes tyre kanë qenë tepër të forta”, tha Lala./Opinion.al