Një agjent i Forcave të Posaçme Operacionale është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi akuzohet se i ka ofruar ndihmë dhe ka transportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. News 24 raporton se bëhet fjalë për Jeton Lamin 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Sipas policisë, Lami është zbuluar pas hetimeve që po kryen lidhur me kallëzimin e xhaxhait të Ervis Martinaj, i cili tha se nipi i tij është zhdukur dhe ka humbur kontaktet me familjen.
Ndërkohë uniformat blu raportojnë se ditën e djeshme Gjykata e Kurbinit ka vendosur ndaj Lamit masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar, i cili është Ervis Martinaj.
Kujtojmë se Ervis Martinaj është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kishte urdhëruar vrasjen e Endrit Dokles.
Njoftimi i policisë
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, bënë ndalimin e shtetasit J. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin.