Gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja ka theksuar përkushtimin e vendit për një sistem drejtësie të besueshëm, efikas dhe të digjitalizuar.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Manja tha se po implementohet një strategji për reduktimin e çështjeve të mbartura (backlog) dhe digjitalizimin e shërbimeve gjyqësore.
Ai theksoi se suksesi i reformës në drejtësi dhe përmbyllja e procesit të vettingut, janë hapa kyç për konsolidimin e sistemit gjyqësor.
“Shqipëria, në rrugën e drejtësisë europiane dhe globale!
Nga Vlora, në Konferencën Ndërkombëtare të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, e organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë dhe CEELI, ndava vizionin tonë për një sistem drejtësie të besueshëm, efikas dhe të digjitalizuar.
Reforma në drejtësi dhe përmbyllja me sukses e procesit të vettingut kanë hapur rrugën për një sistem të konsoliduar.
Po zbatojmë një strategji të qartë për reduktimin e backlog-ut dhe digjitalizimin e sistemit gjyqësor.
Në vitin 2027, Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Drejtësisë, si dëshmi e progresit tonë të qëndrueshëm”, shkruan Manja.