Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka përsëritur sërish thirrjen e tij për ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë dhe krijimin e një zone ndalim fluturimi.
“Ne e përsërisim çdo ditë – mbyllni qiejt mbi Ukrainë për të gjithë këta terroristë. Ju lutemi krijoni një zonë humanitare pa raketa, pa bomba ajrore. Ne jemi njerëz dhe është detyra juaj humanitare të na mbroni, të mbroni civilët dhe ju mund ta bëni këtë. Nëse nuk e bëni këtë, nëse të paktën nuk na jepni aeroplanë që të mund të mbrohemi mund të ketë vetëm një konkluzion për këtë: edhe ju dëshironi që ne të vritemi ngadalë”, shprehet ai.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se do të konsideronte vendet që vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë si pjesëmarrëse në konflikt.
“Ne do t’i konsiderojmë ata menjëherë si pjesëmarrës në një konflikt ushtarak dhe nuk ka rëndësi anëtarë të cilave organizata janë,” tha Putin në një takim me anëtarët e ekuipazhit të fluturimit të linjave ajrore kombëtare ruse.
“Është e pamundur të bëhet, në vetë territorin e Ukrainës, është e mundur vetëm nga territori i disa shteteve fqinje. Por çdo lëvizje në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur”, shtoi Putin.
Zelensky dhe udhëheqës të tjerë ukrainas i janë lutur vazhdimisht NATO-s dhe zyrtarëve perëndimorë që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të premten se një zonë e ndaluar fluturimi nuk është një opsion që po shqyrtohet nga aleanca.