Përmbaruesit kanë zbarkuar këtë të premte në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke i kërkuar të ekzekutojë vendimin e Gjykatës për të ndaluar asamblenë e 2 marsit.
Kanë qenë përmbaruesit Basha sh.p.k që kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës.
Katër ditë më parë Gjykata e Tiranës rrëzoi Federatën Shqiptare të Futbollit dhe pezulloi garën e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta, por nuk ngritën padi.
VENDIMET E GJYKATËS
Gjithashtu, gjykata ka pezulluar efektet juridike të vendimit të datës 02.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022 deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
Njëkohësisht, gjykata ka pezulluar veprimtarinë e Komisionit të Verifikimit të FSHF-së në ushtrimin e kompetencave të tij statutore për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e asamblesë së përgjithshme të FSHF-së te datës 02.03.2022, deri ne zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.