Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja vazhdon ta ketë si politikë kryesore ndaj Ballkanit Perëndimor mbështetjen e këtyre vendeve për integrim në Bashkimin Evropian.
Në deklarimet e para që kur u emërua në këtë pozitë, Escobar tha se qasja e administratës amerikane ndaj rajonit nuk ka ndryshuar dhe kjo është integrimi evropian i këtyre vendeve.
“Administrata e re do te fokusohet shumë në mesazhin që rajoni duhet të jetë pjesë e BE-së, të bëjë reformat e nevojshme për këtë. Ne shohim mundësi të jashtëzakonshme ekonomike të rajonit”, tha Escobar në një debat online të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane.
“Ne do të mbështesim përpjekjet e dialogut të BE-së për Serbinë dhe Kosovën për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta dhe pastaj për të hyrë së bashku në BE”, tha Escobar.
“Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë (Kosovë-Serbi) por edhe integrimi në BE-së. Rajoni duhet të jetë në paqe i plotë dhe pjesë e BE-së”, shtoi ai.
Diplomati amerikan tha se Departamenti i Shtetit përmes ambasadave në Kosovë dhe Serbi do të punojë që të dyja vendet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe të sigurohen se liderët e orientojnë energjinë në dialog dhe jo t’i shmangen atij.
Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak foli për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe SHBA-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
Zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së e potencojnë bashkëpunimin trans-atlantik për dialogun Kosovë -Serbi për faktin se ndërmjet viteve 2018-2020, derisa dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte pezulluar, administrata e atëhershme amerikane kishte filluar një proces paralel të dialogut ndërmjet dy vendeve i cili kulmoi me arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator 2020.
Dokumentet ishin nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në prani të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.
BE-ja ishte lënë jashtë këtij procesi.
Escobar tha se Marrëveshja e Uashingtonit vazhdon të jetë valide dhe se përmes saj, administrata amerikane po mundohet që të krijojë masa mirëbesimi në aspektin ekonomik.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka nisur qysh në vitin 2011.
Të dyja vendet zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Bisedimet kanë të bëjnë me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte problemet e hapura mes dy vendeve.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur në muajin korrik, por nuk ishte arritur asnjë përparim.
Kryeministri i Kosovës, Kurti pati thënë pas takimit se ai kishte propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.
“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, kishte thënë Kurti.
Vuçiq, në anën tjetër, deklaroi se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.
Për në muajin shtator ishte paralajmëruar se do të mbahet edhe takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit, por pas takimit në nivel të kryenegociatorve më 8 shtator, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet Kurtit-Vuçiq.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se gjatë takimit trepalësh (Kosovë-Serbi-BE), temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Ai tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.
Beogradi zyrtar insiston gjithashtu që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
Shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq tha pas bisedimeve të fundit se përfaqësuesi i Kosovës ka “ikur nga tema sa i takon Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejtësisë, energjetikës dhe lëvizjes së lirë dhe se këtë e ka vërejtur edhe pala evropiane”.
Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini, tha gjatë debatit online të Qendrës për Politika Evropiane se marrëveshja mes dyja vendeve duhet të jetë e atillë që do të gjente zbatim, në të kundërtën nuk do të mund të thuhej se dialogu është një “tregim suksesi”.
Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak paralajmëroi një vizitë në Prishtinë gjatë javës së ardhshme. /REL