Nga Genti Çela
Në këto ditë të fundit fushate, ka një pathos që shpërndan lëmoshë tek të varfërit. Nuk është hera e parë.
Një muaj në motet zgjedhore, xhepfryrët e politikës, kërkojnë të zotërojnë edhe mjerimin, zemërimin, revoltën, etjen, urinë, madje dhe varfërinë të varfërve.
Në pyllin e tyre të zymtë e të pashtigj, shfaqen si një plagjiat, çdo dy vite, të lodhur e të tejkonsumuar por të veshur me kostumin e dorëlëshuarit.
Lëmoshtër si një copër buke, shpërndarje e thasëve të miellit apo shuma parash, si kthimi mbrapsht në një përqindje minore nga plaçkitja prej mld € që ka ndodhur në këto vite sipas të gjitha institucioneve audituese.
Këtu ka gremisur fushata elektorale e prapakamerave të kandidatëve lëmoshëtarë votash. E paide, e boshët, e pacipë.
Mungesa e programeve, pasiguria që vjen nga sondazhet, nga humbja e toruas prej nanuritjes së realitetit, i le vend strehës së relativizimit të gjithçkaje.
“Të gjithë janë njësoj”, dhe se “nën këtë diell s’ka kurrfarë guximi për të ndryshuar, ëndërruar”.
Prandaj, KÇK-të e thërrimeve, luten që të varfërit, të shfrytëzojnë rastin, çastin e të përfitojnë nga bujaria e pacak e të paprekshmëve nga ligji e Zoti.
Përtej politics of fear (politikës së frikës), kanosjes me ndihmën sociale, me vendin e punës, me intimidimin patronazhues, synohet të përligjet skllavëria me humbjen e individualitetit dhe lirisë për të zgjedhur ata që u pëlqen të vetquhen shërbëtorët tanë.
Teptisja nëpër lagjet e fshatrat e varfër të vendit me qese e zarfe, apo edhe karamelet në forma vaksinash, nga zengjinët me makina që kushtojnë sa shtëpitë e fshatit sëbashku, rreket të tjetërsojë vullnetin, të çjerrë zërin e shpirtin shumicës së heshtur për t’u nënshtruar pakicës. Kërkimi i shkakut të parë të botës është hetimi se njeriun e bën njeri shpirti, zëri, në pavdekësinë e tyre. E diela e 25 Prillit është një ditë e mirë për t’i dhënë zë, zërit të shpirtit, vlerave shpirtërore e dinjitetit të nëpërkëmbur e të shitur lirë.
Plagët që dergjin mbi asfiskinë tonë, janë ato të cungimit dhe cënimit të së drejtave më natyrore në një kohë kur fuksionimi i sistemit drejtësor dreqoset në përgjumje.
Të tepërt nuk mund të jenë njerëzit në varfëri ekstreme, të dobëtit, të harruarit e të pambrojturit në lirinë e tyre të rrezikuar me ndalim hyrje para kutive të votimit.
Kriza shpirtërore është shuplaka më e madhe që i fishkullojmë vetes çdo palë zgjedhje.
Si nyjëtim ndaj politikës e që Shqipëria të mos kthehet në një grazhd të boshatisur, lypet autoritet njerëzor e jo nënshtrim, për të nisur të ushtrojmë të drejtën, ëndjen e të kërkuarit llogari shërbëtorëve tanë.
Deklarata e djeshme e Konferencës Ipeshkvore nga Monsinior Gjergj Meta që pasoi me deklaratën e Komunitetit Musliman Shqiptar, ishin thirrja e duhur që duhet dëgjuar nga aktorët e faktorët në vigjilje të zgjedhjeve.
Ditët deri në 25 Prill, lypet të jenë një javë reflektimi, java e një vetëformimi moral e revolucioni të brendshëm shpirtëror me zërin e ndërgjegjes.
Pra mos e shit votën. Folja shit mund të lexohet edhe në anglisht./ Opinion.al