Pas bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese, Bindja Demokratike ka dorëzuar kërkesën për rrëzimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton shpërndarjen e mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.
Në dokumentin e dorëzuar prej anëtarit të bordit të Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, argumentohet se ky nen është anti-kushtetues dhe një element që cenon barazinë e votës.
Po ashtu, sipas Bindjes Demokratike këto ndryshime bien ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.
Tani mbetet në dorë të Gjykatës Kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë, në mënyrë që t’i paraprihet aplikimit të Kodit Elektoral, përpara zgjedhjeve të 25 prillit./ Opinion.al