Ora shënonte 03:56, ku toka u lëkund nga një prej tërmeteve më të mëdha në historinë e Shqipërisë.
Qetësia e orëve të para të mëngjesit u prish fillimisht nga lëkundje objektesh, më pas nga përplasja e tyre në tokë dhe në fund nga mijëra zëra njerëzish të trembur dhe të lënduar.
Data 26 Nëntor e vitit 2019 do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë, pasi shënon një nga tragjeditë më të mëdha që ka goditur vendin jo vetëm për nga bilanci i viktimave por edhe nga përmasat e dëmeve materiale dhe psikologjike që shkaktoi.
Nën rrënojat e lëna pas humbën jetën 51 persona. Tërmeti rezultoi fatal për zonën e Thumanës dhe Durrësit por dëme të mëdha materiale u regjistruan edhe në Lezhë, Laç dhe Tiranë.
Mijëra familje mbetën pa banesa nga kjo tragjedi. Sot, një vit më pas, disa janë futur në shtëpi të reja por një pjesë e madhe ende presin ndërtimin e banesave të tyre. /Opinion.al