Tërmeti i 26-nëntorit shkaktoi 51-vdekur mes të cilëve edhe tetë anëtarë të familjes Lala banues në Kënetë të Durrësit. Sahadete Lala 79 vjeç, (gjyshja), Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç, Marjeta Lala me 4 fëmijët nga 2 deri në 8 vjeç dhe Griselda Lala, 22 vjeç, u nxorrën të pajetë nga rrënojat e banesës në të cilën kishin tre vite që jetonin.
Por drama për familjen Lala nuk mbaroi më 26 nëntor. Ditën kur u përcollën në banesën e fundit 8 anëtarët e familjes, ndërroi jetë nga dhimbja për tragjedinë edhe Fiqirete Lala 64 vjeçe, nusja e djalit të madh të Sahadete Lalës, gjyshes që u gjet me mbesën në krah nën rrënoja.
Ali Rame Lala pas tërmetit, jeton i vetëm në një banesë tjetër që ndodhet pranë zonës së tragjedisë, në një intervistë për “News 24″ ai bën apel për ndihmë pasi 95 mijë lekët e pensionit nuk i dalin për ilaçe.
“Deri para 9 muaj me parë jetoja me bashkëshorten time, ngela vetëm. Si jetoj?! Ja siç e shikon. Fëmijët pa punë, por vijnë e më shohin. Marr 95 mijë të vjetra pension. Paguaj drita dhe ujë 80 mijë lekë (tregon se s’ka paguar herën e fundit). Vuaj nga hernie diskale, por këmbët nuk i kam funksionale. Qëndroj shtrirë, ndonjëherë me vjen vajza që më bën për të ngrënë një herë në disa ditë. Vajzën e kam në Fier. Kam 4 muaj pa i marr këto ilaçet se bëjnë 64 mijë. Janë për këmbët këto ilaçet dhe si marr dot. (Përlotet dhe apelon për ndihmë)”, tha Ali Rame Lala.
Pas tërmetit të 26 nëntorit jeta e anëtarëve të mbetur gjallë të fisit Lala ka ndryshuar rrënjësisht. 3 djemtë e Ali Lales sot janë të papunë.
Ylber Lala, djali i Ramë Lalës, ka trokitur disa herë në dyert e ministrive për të kërkuar ndihmë për babanë e tij të sëmurë. Në mungese të një pensioni për babanë e sëmurë apo të një personi që të mund të kujdesej, ato para për të janë jetike. Ndërkohë, pyetjes se pse vendosi që të flasë sot, Ylberi pohoi se; “Sepse është e tmerrshme të shikosh babanë në atë mënyrë që jeton, Edi Rama nuk do ta fal. Tallu sa të duash por mos e prek plagën”, tha ai./ Opinion.al