Gadishulli i Peloponezit dhe ishujt përreth janë goditur nga stuhia e paralajmëruar ‘’Ianos’’ që ka një forcë të ngjashme me një uragan.
Cikloni ka lënë më shumë dëme në 3 ishujt Zakynthos, Ithaca dhe Kefalonia duke shkatërruar varka në mole, përmbytje rrugësh dhe dëme të mëdha.
“Ka dëme por ato nuk kanë rrezikuar jetën e njerëzve”, tha së fundmi zëvendës Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias, pas takimit në mëngjes të Mbrojtjes Civile, në lidhje me ecurinë e motit të keq.
“Ne mbetemi në gatishmëri absolute,” tha nënsekretari i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Krizave, duke paralajmëruar momentin kritik dhe duke deklaruar se orët e ardhshme do të jenë shumë kritike, shkruan Kathimerini.
Jugu i Greqisë pritet ende të goditet më shumë nga cikloni, teksa erërat dhe shiu që e karakterizon do të arrijë deri në rajonin e Atikës, ku ndodhet kryeqyteti Athina.
Erërat e forta të ciklonit pritet të ndikojnë edhe në brigjet shqiptare ku janë paralajmëruar dallgë dhe reshje të dendura shiu. /Opinion.al