OFL njoftoi sot se i ka dërguar formularin e dekralimit të pasurisë 5 të dënuarve, mes tyre edhe Met Bozit, të dënuar për “Vrasje në rrethana cilësuese”.
Bozi është një emër i lidhur me ngjarje të vitit 1997, konkretisht me masakrën famëkeqe të Cërrikut.
Më 23 Maj 1997, autoblinda me efektive të Gardës së Republikës u sulmua në mes të Cërrikut me granata, anti-tank dhe kallashnikov. 6 gardistë mbetën të vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën.
Një ndër personat përgjegjës për këtë masakër ishte edhe Met Bozi, i cili tashmë ndodhet në burg i dënuar me burgim të përjetshëm. Arrestimi i tij u krye në vitin 2016.
Ish-gardisti Luan Prenga në dëshminë e dhënë në qershor të 2010, para Gjykatës së Krimeve të Rënda dha detaje rrëqethëse për masakrën e Cërrikut 1997.
“Unë nuk do ta harroj kurrë dhe s’do t’ua fal kurrë torturat çnjerëzore që na u bënë atë ditë mua dhe kolegëve të mi të vrarë”, – dëshmoi ish-efektivi i Gardës.
“Ky këtu, – tha dëshmitari, duke treguar me gisht nga Met Bozi, – dha urdhër që kufomat të digjeshin, por banorët bërtitnin që mos ta bënin këtë veprim”. Dëshmitari kujtoi se fillimisht ai ishte nisur bashkë me shokët e tij me mision për në Elbasan, por më pas, një urdhër i dytë ua kishte ndryshuar destinacionin për në Cërrik, ku ndodhi dhe vrasja e gjashtë gardistëve dhe plagosja e 16 të tjerëve. /Opinion.al