Parlamenti do të zhvillojë 3 mbledhje nga e hëna deri të enjten e javës së ardhshme. Fillimi i javës do të mbledhë ligjvënësit për t’i dhënë fund nismës që ata nisën disa muaj më parë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Mazhoranca, nuk do të shkarkojë Presidentin Meta, por do të mjaftohet vetëm me një vërejtje. Parlamenti do të votojë raportin përfundimtar të komisionit hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit të Republikës, si për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, ashtu dhe për procedurat për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Raporti që është miratuar nga deputetët socialistë më herët në Komisioni e Posaçëm parlamentar, thekson se nuk ka arsye për të justifikuar shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vendimi u mor pasi Komisioni i Venecias, në raportin për çështjen e zgjedhjeve bëri të qartë se nuk ekziston arsye për shkarkim të Ilir Metës, ndërkohë që në raportin e dytë për emërimet në Kushtetuese, i dha të drejtë Presidenti për vendimet e tij.
Të mërkurën deputetët do të mblidhen për të diskutuar amnistinë fiskale. Nisma është mbrojtur fort nga kryeministri Edi Rama, por që gjatë periudhës kur u diskutua është përcjellë me kritika sidomos nga FMN.
Dita e fundit, 30 korriku pritet të jetë edhe më e nxehta sa i përket edhe zhvillimeve politike. Deputetët do të diskutojnë mbi ndryshimet kushtetuese, që kanë shkaktar një debat të fortë politik.
Nisma që parashikohet të hidhet për votim e që ka kaluar më parë në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, parashikon hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë në masën 2/3. Këto ndryshime mbështeten nga kryeministri Rama, por aspak nga opozita jashtëparlamentare, pasi argumentojnë se qëllimi i vetëm i Ramës është eliminimi i koalicioneve parazgjedhore. Opozita e Bashkuar ka prezantuar së fundmi propozimin për hapje 100% të listave e kandidatëve për deputetë, porse koalicionet parazgjedhore të mos preken dhe të ruhet formula ekzistuese e shpërndarjes së mandateve për deputetë. Për këtë propozim të fundit palët nuk kanë gjetur asnjë pikë ku mund të afrohen. Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak nga dita e votimit, pritet që negociatat si publike, ashtu edhe pas dyerve të mbyllura të jenë intensive. /Opinion.al