Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Tiranë kanë marrë informacion në rrugë operative se një shtetas në zonën e Freskut qarkullonte në orët e pasdites, duke mbajtur me vete armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fresku”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, nga kontrolli fizik në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi e vogël kokaine.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një tjetër armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një armë gjahu shotgun dhe një sasi fishekësh.
Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet. /Opinion.al