Pamjet e aktivistëve sot në Sheshin Skendërbej që shoqëroheshin nga policia shkaktuan reagim të gjerë në opinionin publik dhe nga aktorët politikë. Një nga personat që u tërhoq forcërisht nga efektivët e policisë ishte dhe aktivistja Ina Kurti.
Në një video-mesazh në Facebook, ajo bën të ditur se ka dalë nga Spitali Ushtarak i Tiranës ku kishte qenë për të marrë trajtimin mjekësor. Megjithatë ajo thotë se doktorët nuk i fashuan dot dorën e dëmtuar për shkak të mungesës së mjeteve dhe se ka shumë dhimbje koke dhe ndjen djegie të cilën shpreson të mos jetë hemoragji.
”Të dashuar miq, shokë ,familjarë dhe bashkëatdhetar. Ju faleminderit shumë për mesazhet. Sapo kam dalë nga Spitali Ushtarak ku më bënë vizitën, po s’më kanë matur as temperaturën, kam një djegie të brendshme, ishalla nuk është hemoragji. Kam një dhimbje koke shumë të madhe. Doktorët atje nuk kishin të gjitha mjetet për të më fashuar dorën e dëmtuar dhe më dhanë receta, pomada. Ishalla me kaq. Këtu mbaroi. Ju faleminderit shumë. Kam një shoqe që më ka ndihmuar t’u kthej përgjigje se mua nuk më shohin as sytë nga dhimbja e kokës. Mos u shqetësoni, faleminderit. ”, thotë Ina Kurti. /Opinion.al