Një zyrtare e lartë e FBI-së për sigurinë kibernetike tha të enjten se rrjetet e kompanive që po kryejnë kërkime për vaksinat e COVID-19 janë sulmuar nga hakerët, raporton Reuters.
Zv.Ndihmës Drejtorja e FBI-së Tonya Ugoretz u tha pjesëmarrësve në një panel në internet të organizuar nga Instituti Aspen se FBI-ja kohët e fundit kishte parë hakera të mbështetur nga shtete të huaja që gjurmonin përreth një seri institucionesh të kujdesit shëndetësor dhe institucionesh kërkimore.
“Ne sigurisht kemi parë veprimtari zbulimi dhe një numër ndërhyrjesh në disa nga këto institucione, veçanërisht ato që e kanë identifikuar publikisht veten se janë duke bërë punë kërkimore për COVID-in“, tha ajo.
Zyrtarja e FBI-së tha se institucionet që punojnë për kura ose një vaksinë të mundshme janë në rrezik pasi ata e bëjë publik lajmin për punën e tyre.
“Kjo i bën ata një objektiv për shtetet e tjera që janë të interesuara të grumbullojnë detaje të sakta rreth asaj që po bëhet dhe ndoshta edhe të vjedhin të dhënat e pronësisë intelektuale nga këto institucione“, shtoi ajo.
Industria bio-farmaceutike ka qenë shpesh në shënjestrën e hakrave të mbështetur nga shteti tha Ugoretz dhe shtoi se “sigurisht që kjo është shtuar gjatë kësaj krize”. Ajo nuk i përmendi vendet konkrete nga vinin këto sulme dhe nuk identifikoi kompanitë e vëna në objektiv të sulmeve. FBI-ja nuk iu përgjigj një emai-il ku kërkoheshin komente të mëtejshme. /Opinion.al