Kreu i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se shërimi i mjekut Dhimitër Kraja, është një lajm i gëzueshëm për të gjithë, teksa shtoi se lutjet e qytetarëve shkojnë për personelin mjekësor që po përballet sot me COVID-19.
Basha kërkoi transparencë të plotë, dhe kërkoi nga qeveria të zbatojë kërkesën standarte të OBSH për rritjen e numrit të testimeve.
Kryedemokrati shtoi se shmangiet nga kërkesat e përsëritura nga OBSH është papërgjegjshmëri e rëndë që jo vetëm fsheh të vërtetën por kushton shtrenjtë.
Postimi i Bashës:
Është një lajm i gëzuar për mua personalisht dhe për çdo bashkëqytetar shërimi i Prof. Dhimitër Krajës.
Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë personelin mjekësor që po përballet sot me COVID-19. Për të gjithë ata mjekë, laborantë, infermierë, sanitarë e shoferë ambulancash që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre në shërbim të qytetarëve. Në këto ditë të vështira ata meritojnë angazhimin serioz të qeverisë për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse për ekipet mjekësore.
Transparenca është garanci dhe siguri si për stafet mjekësore ashtu dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit.
Prandaj sa nuk është vonë qeveria duhet të zbatojë korrektësisht kërkesën standarte të OBSH: rritjen e numrit të testimeve.
Çdo shmangie nga kërkesat e përsëritura nga OBSH është papërgjegjshmëri e rëndë që jo vetëm fsheh të vërtetën por kushton shtrenjtë: Sa më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më gjatë shumë zgjatet zinxhiri i infeksionit, aq më gjatë vazhdon karantina dhe thellohet kriza ekonomike.
Duhet vepruar sot, çdo ditë e humbur na kushton jetë dhe shëndet!