Ka shkuar në 201 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë duke njoftuar për 24 raste të reja.
Numri më i madh të prekurve me Covid-19 është në Shkup me gjithsej, 123 raste. Deri tani tre persona kanë ndërruar jetë ndërsa tre të tjerë janë shëruar nga virusi. Institucionet shëndetësore kanë nisur aplikimin e terapisë për të prekurit ndërsa kanë bërë thirrje për mospërdorim të ilaçeve pa lejen e mjekëve.
“Mos blini ilaçe pa nevojë, gjegjësisht mos bëni rezerva të panevojshme në shtëpitë tuaja, ilaçe me recetë të siguruara nga Fondi për sigurim shëndetësor ka në sasi të mjaftueshme në qarkullim të miratuar nga Agjencia për ilaçe dhe pajisje mjekësore. Të sillemi të gjithë me përgjegjësi dhe pa panik me çka do ta mbrojmë sistemin tonë shëndetësor dhe me këtë edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai njoftoi se që nga java e ardhshme në Maqedoni të Veriut do të realizohen testime mobile në vende ku dyshohet për pacientë të infektuar me koronavirus.
“Nga java e ardhshme do të jemi gati dhe do të realizojmë edhe testime mobile. Këto ditë kemi realizuar përgatitje për këtë operacion. Të enjten dhe të premten, si dhe gjatë vikendit do të selektohen grupe më të mëdha, sipas mendimit të epidemiologëve në zona dhe qytete ku mendojmë se duhet të aplikohet kjo masë”, theksoi Filipçe, duke shtuar se javës tjetër pritet të arrijnë edhe 500,000 maska dhe 20,000 teste tjera.
Sipas Ministrisë, mbi 10 mijë është numri i personave janë në vendosur në vetizolim. Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu njoftoi se po mbikëqyr tetë objekte hotelerie, prona juridiko-private, të cilat shteti i ka shndërruar në karantinë për 322 qytetarët që duhet të qëndrojnë në izolim te detyruar.
Policia ka njoftuar për ndalimin e 60 personave për mosrespektim të orës policore.
Qeveria të mërkurën miratoi vendimin për masa më rigoroze gjatë fundjavës. Ora policore do të vlejë nga ora 16:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Rregullorja e re vlen vetëm për ditën e shtunë dhe të diel./ Burimi: REL