Moti i keq dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë që në disa nga akset e vendit kalimi me automjete të bëhet e zinxhir.
Sipas njoftimit të publikuar nga Autoriteti Rrugor shqiptar po punohet që akset problematike ku ka ngrica dhe reshje dëbore të pastrohen.
Në rajonin verior gjatë mbrëmjes ka pasur temperatura të ulëta dhe erë të fortë në të gjithë Rajonin. ARRSH bën të ditur se po punohet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat ku ka prezencë ngricash. Në rajonin verior mësohet se segmentet Kolesian-Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë – Steblevë kalohet me zinxhirë.
Ndërkohë në rajonin qendror gjatë natës nuk ka pasur reshje. Sipas ARRSH është punuar që në orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka ngrica. Vetëm në segmentin Lunik-Steblevë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë.
Prezencë ngricash ka pasur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan – Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”. Është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm.
Sa i përket rajonin jugor të vendit Gjatë natës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit. Në aksin Boboshticë-Dardhë, në km 5–14, dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë, për shkak të ërës së fortë. Është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e problematike, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore./Opinion.al/