Gjatë prezantimit të paketës ‘Anti-KÇK’ në repartin e RENEA-s, kryeministri Rama iu kthyer sërish gjykatësve dhe porkurorëve nga të cilët u frymëzua për emrin me të cilin pagëzoi edhe aktin normativ.
Megjithëse paketa e re ligjore nuk përmend askund hetimin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar Rama tha se ata janë bashkë me personat që janë subjekt i këtij ligji dhe se koha e tyre për tu dënuar do të vijë shumë shpejtë.
Rama komentoi gjithashtu gjykatësen e Krujës, Enkeleda Hoxha e cila vendosi të pranojë kërkesën për lirim të Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit.
“Nga vendimet e gjykatësve sikur ishte rasti i fundit të gjyqtares pa tru, veshë dhe zemër por vetëm me xhep që kanë sjellë lirime monstrash”, tha Rama teksa ironizoi edhe faktin që këta persona gjejnë dhe punë pasi dalin nga burgu. Duhet kujtuar se disa muaj më parë nga burgu u lirua Lulzim Berisha dhe në arsyetimin e vendimit të tij ishte dhe një garanci për punë e lëshuar nga Bashkia e Durrësit e drejtuar në atë kohë nga Vangjush Dako.
Rama përmendi edhe njëherë vettingun si mjet ndëshkues për prokurorët dhe gjykatësit
“Ndërkohë që sot jemi të vetëdijshëm që do të vuajnë akoma se janë akoma gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë se nuk do ta kalojnë vettingun dhe jetojnë sikur të ishte dita e fundit e pazarit të gjësë së gjallë, “kap ca të kapësh”. Edhe për ata kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata do të përgjigjen në mos sot nesër, pasi një lloj si sot erdhi koha të përgjigjen të fortët e këtij vendi për të gjitha pasuritë e tyre, do të vijë edhe për ata.
Vettingu ndau të njomin nga i thati. Në shumicën e herëve janë kriminelë dhe jo gjykatës. E fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që godasin shtetin pas shpine, që për cdo rast kur ne shteti që do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim paketa kërkon brenda 3 ditëve pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ata. Ata janë bashkë, dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët, ju siguroj. Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika. Anëtarëve të OFL u them se ju keni në dorë të bëni një investim të madh dhe të shtoni kreditë e larta të policisë së shtetit dhe të vendit tonë në sytë e miqve tanë” shtoi Rama.
Ndër të tjera kryeministri tha se paketa e re ligjore do ti ndalojë subjektet e ligjit të udhëtojnë jashtë shtetit, të marrin pjesë në tendera dhe do t’i hiqen të gjitha licencat që kanë në aktivitetet e tyre. /Opinion.al