Shqipëria u godit përsëri në orët e para të mëngjesit të sotme nga disa lëkundje tërmeti, ku më i forti ishte me magnitudë 4.5 të shkallës riter.
Lidhur me situatën e krijuar në vendin tonë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ka folur sizmologu Llambro Duni, i cili deklaron se lëkundjet e tokës janë normale dhe nuk paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
“Nuk ka asgjë për të shqetësuar. Është një trend normal në rastin e tërmeteve të tillë. Pas goditjet do të vazhdojnë, ndjekin një trend zbritës por mund të ketë dhe të tilla që mund të ndihen, të kësaj madhësie që perceptohen”, u shpreh ai.
Duni këshilloi që qytetarët t’i referohen të dhënave të publikuara nga Instituti i Gjeoshkencave Ujit dhe Mjedisit, pasi në rastin e lëkundjes më të fortë gjatë natës ka të dhëna kontradiktore nga IGJEUM dhe EMSC.
“Ky tërmet ka pasur madhësinë 4 sipas nesh, 4.5 është sipas një tipi tjetër magnitude. Numri i këtyre pasgoditjeve vazhdon dhe kjo mund të vazhdojë për një farë kohe. Është e vështirë të them kohën por mund të kërkon 1,2 por edhe 3 muaj”, tha Duni./ Opinion.al