Kryeministri Edi Rama ka preferuar të mos e komentojë dorëheqjen e kryetares së Bashkisë Durrësit Valbona Sako.
Teksa është pyetur nga gazetarët në terren në lidhje me dorëheqjen e Sakos, Rama ka kritikuar median, duke u shprehur se disa media janë një nga ‘gjeneratorët’ e tmerrit, që japin debate dhe kronika televizive që trembin sipas tij qytetarët.
“Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanët, pasi njerëzit janë të tmerruar. Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim. Janë ekrane ku jepen kronika sikur në çdo shtëpi ka rënë bomba. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që; a janë prekur apo jo kolonat? Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve”, tha Rama./Opinion.al