Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton tha të premten në një seri postimesh të koduara në Twitter se ai rimori kontrollin e llogarisë së tij personale në Twitter, duke pohuar se Shtëpia e Bardhë refuzoi t’i jepte qasje në të pasi ai dha dorëheqjen në shtator, një akuzë që Presidenti Donald Trump e kundërshtoi.
Bolton dhe Presidenti Trump u përplasën shpesh për politikën e jashtme dhe presidenti tha se Bolton nuk u bashkua me të tjerët në administratë dhe se nuk ishte në sinkron me të për politikën e jashtme.
Veprimet dhe fjalët e zotit Boltonit janë ndjekur nga afër që nga ajo kohë, veçanërisht në lidhje me hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e presidentit. Bolton nuk ka pranuar të dëshmojë nëse një gjykatës federal nuk përcakton se ai mund të detyrohet të dëshmojë kundër dëshirës së Shtëpisë së Bardhë. Por avokati i tij tha se zoti Bolton ishte në dijeni të “shumë takimeve dhe bisedave ” në lidhje me fushatën për t’i bërë presion Ukrainës.
Bolton publikoi një seri postimesh në Twitter të premten që filluan me mesazhin se ishte i lumtur që ishte përsëri në Twitter dhe “do të kishte informacione”.
Në postimin e tretë ai akuzoi Shtëpinë e Bardhë se nuk pranoi t’i japë qasjen në llogari, duke pyetur: “Nga frika e atyre që mund të them? Për ata që spekuluan se u zhduka, më vjen keq t’ju zhgënjej!”
Më në fund, Bolton falënderoi Twitter-in për “qëndrimin sipas standardeve” dhe “kthimin e duhur të kontrollit” të llogarisë së tij.
Twitter nuk pranoi të komentojë. Trump u pyet në Fox News nëse Shtëpia e Bardhë ngriu llogarinë e zotit Bolton në Twitter.
“Sigurisht jo. Jo, unë në të vërtetë kam pasur një marrëdhënie të mirë me John-in,” tha Presidenti Trump. “Ne nuk u pajtuam për disa gjëra dhe disa metoda, por unë në të vërtetë kisha një marrëdhënie të mirë me të”./ Burimi: VOA