Albin Kurti e ka bërë të qartë se nuk e do Listën Serbe në qeverinë e tij. Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se pjesë e qeverisë, duke respektuar dhe Kushtetutën do të jetë dhe një ministër serb, por jo nga Lista Serbe. Këtë deklaratë e komenton duke “kërcënuar” presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Nuk e respektoni dikë që ka marrë 95 për qind në kuadër të popullit të vet, por do të punoni me dikë që është serbi juaj privat apo juve ju pëlqen? Unë mendoj atëherë se kjo nuk është mjaftueshëm e përgjegjshme. Nuk mendoj se kjo është mjaftueshëm serioze. Nëse nuk dëshironi të punoni me Listën Serbe atëherë mendoj se nuk dëshironi që as me Serbinë të gjeni një zgjidhje të kompromisit. Nuk mendoj se kjo është porosia më e mirë. Por, nuk kam asgjë kundër asaj që tua them këtë, kjo është zgjidhja juaj. Ju njerëz, na e thoni këtë pasi mua do të ma lehtësoni punën. Është çështje tjetër që ne atëherë nuk do të mund të kryejmë punën për të cilën jemi zgjedhur e që është të sigurojmë një të ardhme ndryshe dhe më të mirë për popujt tanë”.
Por çfarë mendon presidenti serb për Albin Kurtin?
“Së pari njerëzit e pjekur dhe serioz nuk ofendojnë gocat minorene, kjo nuk bëhet në një botë të sjellshme. Për këtë është dashur të thotë më falni, por nuk ka thënë. Kjo nuk bëhet. Këtë duhet ta mësoni. Të tjerat do ti vlerësoj në bazë të veprimeve. Unë e di që ai mendon se sa më i mprehtë të jetë ndaj serbëve do të marrë më shumë vota, pasi njerëzit kanë qejf të thonë bravo, bravo, bravo, por jo jo edhe shqiptarët pas tre vitesh do të pyesin udhëheqësit e tyre përse nuk kanë bërë kompromis me serbët. Ashtu sic do më pyesin serbët përse nuk ke arritur marrëveshje me shqiptarët, edhe pse sot duket sikur askush nuk e dëshiron këtë në asnjërën anë”, thotë Vuçiç.
I pyetur për idenë e Albin Kurtit, për masa të reciprocitetit pas heqjes së takës, Aleksandër Vuçiç ka thënë: Nuk e di për çfarë masash reciprocieteti flet. Flisni ju për dëmet e luftës, përralla të zbrazëta për përdorim të brendshëm dhe për popullin, nuk mund ti dëgjoj dhe nuk mund ti komentoj. Nuk kam problem të komentoj çdo lloj pyetje, por nuk është Albin Kurti, Hegeli që ta komentojmë kaq shumë”./ Opinion.al