Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sërish. Ai i ka bërë thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht. Ky reagim i presidentit erdhi pasi protestuesit që u zhvendosën para Parlamentit hodhën sërish mjete piroteknike drejt policisë. Nga ana tjetër policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe më autobotet me ujë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar duke larguar protestuesit e maskuar që hidhnin gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të policisë.
Më pas opozita tërhoqi protestuesit, ndërsa nga selia e PD-së, Lulzim Basha do të deklaronte: Orët e tiranisë po marrin fund. Orët e Shqipërisë së re si gjithë Evropa po troket. Po troket dhe nuk ka forcë të ndaj, ndaj iu shpreh sot mirënjohje me të thellë që fjalët nuk e përkufizojnë dot për këtë pjesëmarrje gjigande. Shenjë e qartë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Shqipëri si gjithë Evropa.
Kjo është protesta e 8 kombëtare e opozitës, që këtë të shtunë u zhvillua në një mënyrë tjetër, pasi më herët kreu i shtetit shqiptar njoftoi anulimin e zgjedhjeve.
Opozita kishte vendosur të mos merrte pjesë në zgjedhjet lokale, ndërsa prej 16 shkurtit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një qeveri tranzitore që sipas tyre do të krijonte mundësinë që vendi të shkonte në zgjedhje të lira dhe të ndershme./ Opinion.al