Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka ripërsëritur se shteti i tij dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të balancuara me fqinjët arabë në Gjirin Persik dhe bëri thirrje për nënshkrimin e një pakti të jo-agresionit me ta.
Zarif i bëri këto komente, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij irakian, Muhammad Ali Alhakim në Bagdad, teksa tensionet ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit vazhdojnë të jenë të larta.
Ministri Alhakim u shpreh se Bagdadi dëshiron që të ndërmjetësojë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se Iraku është kundër “veprimeve të njëanshme” të ndërmarra nga Uashingtoni.
Iraku ka marrëdhënie të mira edhe me Iranin, por edhe me SHBA-në.
Raportet Iran-SHA janë përkeqësuar që prej se Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksione ekonomike ndaj Teheranit. SHBA-ja po ashtu ka rritur prezencën e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, gjë që ka rritur shqetësimet për një konflikt të mundshëm ushtarak me Iranin.
Zarif u shpreh se shteti i tij do të ishte në gjendje “të përballej me luftë, qoftë ekonomike apo ushtarake, përmes qëndrueshmërisë së forcave tona”.
Vizita e Zarif në Irak, vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump më 24 maj njoftoi se në Lindjen e Mesme do të dërgojë 1500 trupa shtesë, duke thënë se këto trupa do të kenë kryesisht rol “mbrojtës”. Burimi: REL