Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta zhvilluan paraditen e sotme homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Krerët e shtetit vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Presidenti nuk nguroi që me rastin e “5 Majit”, ditës së Dëshmorëve, të japë një mesazh, duke thënë se klasa politike duhet të bashkëpunojë për të ardhmen e vendit.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, sepse është Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në radhë të parë. Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot. Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe që të nderojmë vërtet ashtu siç duhet kujtimin e të gjithë atyre, të cilët kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh presidenti Ilir Meta.
Por edhe këtë ditë, politika shqiptare ka qenë e ndarë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të opozitës kanë bërë homazhe më vete. /Opinion.al