Ish-kryeministri Sali Berisha ka versionin e tij për grabitjen e fundit në Rinas. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se grabitja ka ndodhur nga bandat e partisë.
“Grabitësit e armatosur morën te gjitha arkat nga mikrobuzi i blinduar qe do ngarkoheshin në avion. Rojet e armatosura private që shoqëronin mikrobusin me arka me para dhe rojet e aeroportit bën sehir!Hajdutet me automjetin me arkat e plaçkitura që përmbanin miliona euro u zhduken ne drejtim te paditur. Ndërkohë afër Fushë Krujës policia ekzekutoi besohet njërin nga banditët. Paratë e grabitura, në traditën e njohur do t’i përdorim për fushatën elektorale te ardhshme”, shkruan ish-kryeministri.
Ngjarja
Autorët e dyshuar kanë qenë të veshur me rroba kamuflazh me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” dhe çanë derën e rrethimit të pistës së aeroportit që përdoret nga zjarrfikësit. Më pas nën kërcënimin e armëve grabitën paratë që po transportoheshin brenda avionit, të cilat do të dërgoheshin në Vienë.
Flitet për miliona Euro para të bankave të nivelit të dytë, edhe pse nuk ka një shifër të përcaktuar. Pasi morën paratë, autorët u arratisën me një furgon të bardhë dhe në rrugën disa metra jashtë pistës së aeroportit pati shkëmbim zjarri mes tyre dhe forcave të policisë, të cilat u vunë në ndjekje të grabitësve.
Nga shkëmbimi i zjarrit humbi jetën një nga autorët e dyshuar, identifikimi i të cilit do të ndihmojë hetuesit për të zbuluar autorët e tjerë. Deri në këtë pikë zgjati ndjekja nga uniformat blu. Furgoni i bardhë i përdorur nga grabitësit u gjet më vonë i braktisur.
Mendohet se ata u larguan me një makinë të dytë ose janë ndihmuar nga persona të tjerë. Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat lidhur me hetimet për këtë ngjarje të rëndë./Opinion.al