Partia Demokratike në SHBA është përfshirë nga një debat i ashpër brenda saj. Këto mos marrëveshje brenda partisë lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale 2020.
Ndërkohë, ish-presidenti Barak Obama, teksa ka bërë thirrje që Partia Demokratike të gjejë sa më parë një kompromis, tha se kandidatë të fraksioneve të ndryshme të Partisë Demokratike do të vriten politikisht.
Obama shtoi se ata duhet të krijojnë bashkëpunimin mes tyre dhe të luftojnë “armikun” e tyre të përbashkët, presidentin aktual, Donald Trump.
Demokratët progresistë dhe ultramajtistët që kandidojnë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund luftës brenda partisë nëse duan që ta mundin kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
“Gjëja që ndonjëherë më shqetëson me progresistët në Shtetet e Bashkuara, por mbase kjo vlen edhe këtu, janë qëndrimet e prera për problematika të caktuara, ku njëra palë thotë ‘Na vjen keq por kjo do bëhet siç them unë.’ Kjo çon në ato që unë do i cilësoja ‘toga të pushkatimit në qark’, ku ti fillon të qëllosh aleatët e tu pse devijojnë nga kauza jote.
Në demokracinë që kemi ndërtuar është e ditur se ka njerëz që nuk bien dakord me këdo, dhe se askush nuk merr 100 për qind të asaj që kërkon. Nuk mund të kemi një sistem ku kompromisi mungon apo ekziston për gjithçka.”
Ish-presidenti amerikan i bëri këto deklarata gjatë një eventi që fondacioni i tij organizoi të shtunën në Berlin me aktivistë të rinj nga 35 shtete të botës./ Opinion.al E. Xh.