Pasiguria politike dëmton klimën e biznesit në vendin tonë. Kështu është shprehur gjatë prezantimit të raportit ekonomik rajonal ekonomistja e Bankës Botërore në Tiranë Esmeralda Shijaku.
“Kriza politike ka bërë që investitorët të tremben. Pasiguria politike ka dëmtuar biznesin në vend. Sa më pak kriza të ketë politika e një vendi, më shumë investime ka gjasa të ketë, të brendshme dhe nga jashtë”, deklaroi Shijaku.
Ajo shtoi se ka rritje ekonomike në vend dhe janë rritur investimet e brendshme, megjithëse në fushën e bujqësisë lulëzon informaliteti, gjë që duhen luftuar sa më shpejt.
“Ka një rritje ekonomike në vitet e fundit. Janë rritur investimet e brendshme. Ndërkohë, investimet e huaja vazhdojnë të zënë peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit”, u shpreh ekonomistja.
Për sa i përket kontratave PPP, përfaqësues të BB u shprehen se po punojnë me qeverinë në monitorimin e kontratave ekzistuese dhe se ato duhet të shërbejnë për të parë cila funksionojnë.
“Qeveria duhet të shikojë mekanizma për financimin e sektorit të energjisë, për sa kohë varen nga buxheti i shtetit”, nënvizoi Banka./Opinion.al