Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mbrojti punën e policisë gjatë protestës. Nga ana tjetër në një deklaratë zyrtare Policia e Shtetit tha se u kap e papërgatitur nga zhvendosja e protestuesve përpara Parlamentit, ndërsa akuzonte këta të fundit për dhunë ndaj efektivëve.
Në zonën e Pedonales ndodhi dhe përballja më e madhe mes protestuesve dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Veç gazit lotsjellës u përdor dhe autoboti për të shpërndarë turmën.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë një video ku duket një i moshuar që është në tokë, pas efektit të gazit. Në ndihmë i ka shkuar ish-deputeti Gent Strazimiri dhe një zonjë.
Siç duket në video një nga efektivët e FNSH-së, edhe pse i moshuar është i shtrirë në tokë, i hedh spritë në fytyrë. Protesta e opozitës e kësaj të shtune, njësoj si ajo e një muaji më parë nisi si paqësore, por në pak kohë degjeneroi serish në përplasje./Opinion.al