Francesco Calì, bosi i familjes kriminale Gambino në Nju Jork, është ekzekutuar mbrëmjen e 13 marsit përpara rezidencës së tij në Staten Island. Ai është qëlluar gjashtë herë me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë pak kohë më pas në spital.
Italo-amerikani Francesco Calì, i njohur ndryshe si “Frank Boy”, ka lindur në vitin 1965 dhe njihet si “ambasador për gangsterët siçilianë” të Palermos. Sipas autoriteteve amerikane, Calì “është një njeri me influencë dhe me fuqi të madhe mbi anëtarët e familjeve kriminale italiane në SHBA dhe në Itali”.
Familja Gambino është një nga pesë familjet historike të mafies italo-amerikane në SHBA së bashku me familjet Xhenovese, Lukese, Kolombo dhe Bonanno. Bosi më i njohur i familjes Gambino ka qenë Xhon Goti, ku në vitin 1992 u arrestua dhe u dënua për të paktën 13 vrasje, por vdiq në burg në vitin 2002./Opinion.al