Në një prononcim për mediat nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Monika Kryemadhi ka thënë se personat që kanë ushtruar dhunë ndaj institucionit dhe policisë nuk janë të opozitës, por janë provokatorë të infiltruar. Si provë për këtë, Kryemadhi tha se sa herë që ata shkonin pranë kryeministrisë, policia hapte kordonin dhe nuk i arrestonte. Ajo replikoi edhe me një gazetare, duke i thënë të mos bëhej avokate e Edi Ramës.
“Nuk i ndalon policia, sepse dhunuesit janë provokatorë të policisë. Pse nuk i ndaloi policia? (Ndërhyn gazetarja) Jo, jo më fal, lëre, lërë… (Gazetarja tenton të flasë sërish) Zemra ime mos u bëj avokate e Edi Ramës. O do flasësh ti në intervistë, o do flas unë. Unë po them ka 10 veta që dhunojnë dhe 1300 policë, pse nuk i arreston? Pse Nora Malaj do ta rrëzojë atë, apo Klajda Gjosha? Ne po të duam ia vëmë flakët në parlament, më keq se Edi Paloka. Lotët e këtyre vajzave dhe grave ai kriminel do t’i paguajë shtrenjtë. Atij nuk i dhimbset as nëna vet, as gruaja vetë, as fëmija vet kur qan”, tha Kryemadhi.