Ditën e sotme, më 31 dhjetor, është dhe afati i fundit për aktivitetet e lojërave të fatit. Në bazë të ligjit të miratuar disa javë më parë nga qeveria, asnjë pikë bastesh nuk duhet të kryejë aktivitetin e saj duke filluar që nga 1 janari i vitit 2019.
Me qindra kanë qenë pikat e basteve që janë mbyllur këto javë, por disa prej tyre kanë vendosur të qëndrojnë hapur deri në ditën e fundit që i lejon ligji.
Sot është afati i fundit për ushtrimin e aktivitetit të llotove e kazinove, e ndërsa 2019 është jo më shumë se 15 orë larg, pritet të shihet nëse ky ligj do të zbatohet ose jo.
Pasojat
Sipas deklarimeve zyrtare në Tatime, vitin e kaluar industria e kumarit qarkulloi rreth 130 milionë euro, ku pjesën e “luanit” e kanë kazinotë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar shqiptarët luajtën 81 milionë euro në kazino dhe 45.5 milionë euro të tjera në baste sportive.
Vendimi i qeverisë pritet t’i reduktojë ndjeshëm të dy këto aktivitete, por veçanërisht bastet, të cilat nga 1 janari do të lejohen vetëm “online”. Në rrafshin ekonomik, kufizimi i kumarit ka dy pasoja kryesore.
E para është rënia e të ardhurave në buxhet. Aktualisht, qeveria mbledh rreth 40 milionë euro në vit nga taksat e bixhozit. Pas 1 janarit, kjo shumë me gjasa do të jetë më e vogël, gjithsesi për buxhetin ky është një efekt i papërfillshëm.
Pasoja e dytë është punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Shqipëri ka rreth 4.500 pika bastesh, të cilat sipas Kodit të Punës duhet të punësojnë minimalisht nga dy vetë. Pra, në total janë minimalisht 9.000 të punësuar, të cilët nga 1 janari do të dalin të papunë. Por, të dy këto efekte, si rënia e taksave, ashtu dhe punësimi, duken të papërfillshme përballë pasojave të rënda sociale që vijnë nga bixhozi dhe risqeve që ka kjo industri për pastrim parash dhe fuqizim të krimit.