Kryeministri Edi Rama, të enjten, është ndalur edhe tek vijimi i hetimeve të kompanisë “DH Albania”, e cila u shpall fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe.
Rama në studion e emisionit “Opinion”, deklaroi se pas publikimit të dokumenteve falso në media, qeveria shqiptare i ka kërkuar menjëherë ambasadës amerikane informacion në lidhje me autencitetin e këtyre dokumenteve.
Kryeministri tha gjithashtu kemi kërkuar që t’na mundësojnë përmes kanaleve zyrtare informacion se kush fshihet pas kësaj afere. Sipas tij, kjo është kërkuar për faktin që t’i japim fund asaj që pas kësaj fshihet Edi Rama apo Damian Gjiknuri.
“Ne jo vetëm që kemi hartuar padi penale për këtë aferë, por edhe kemi filluar procedurën për të sekuestruar 2 milionë eurot e garancisë dhe ato do t’i kthejmë në një fond mbështetje për familjet në nevojë që dëmtohen nga investimet publike. Gjithashtu kemi pajtuar edhe një avokat për të realizuar një kërkesë gjyqësore për dëmin moral”,- tha Rama.