Edhe në Korçë studentët janë ngritur në protestë kundër tarifave të larta. Ata kanë bllokuar rrugët kryesore të qytetit duke paralizuar lëvizjen. Protestë ka pasur sot edhe në universitetet e rretheve si në Elbasan, Durrës, Shkodër apo Korçë. Qëllimi i përbashkët i tyre është plotësimi i kërkesave që ia kanë çuar Ministrisë së Arsimit përmes një letre. Deri tani studentët nuk kanë pranuar të ulen me ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme.
‘’Lindita Nikolla dil në Bulevard. Shkolla është e jona jo biznes privat”, është një nga thirrjet më të përdorura nga ana e studentëve.
Janë mijëra studentë që tashmë ndodhen pranë zyrës së ministres së arsimit Lindita Nikolla.
Ja letra e plotë:
Drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla.
Përgatitur nga: Këshillat Studentore të Universiteteve Publike.
Duke u nisur nga deklarata e bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ne organizatoret e protestës së sotme si përfaqësues të Këshillave Studentore vendosëm tju paraqesin këto kërkesa:
Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë: Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
Përmiresimi i kushteve të konvikteve.
Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë) Afati i kthimit të përgjigjes ndaj kërkesës sonë është ora 16:00 datë 06.12.2018.